Telegrafi

Takimi i 4 majit në Berlin, Demhasaj: Mund të ketë lëvizje pozitive drejt marrëveshjes Kosovë-Serbi

Nesër (4 maj), kancelari gjerman Olaf Scholz do të pres në Berlin, në takime të ndara, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga analistët kjo po shihet si një tentativë për zhbllokimin e procesit të dialogut dhe mundësi drejt arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, në një prpnoncim për Telegrafin vlerësoi se nëse gjithçka shkon mirë nesër në Bruksel, shpejt mund të ketë një takim të nivelit të lartë Kurti – Vuçiq me ndërmjetësim të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”

Sipas tij, mundësia e arritjes së një marrëveshje është e madhe, pasi siç u shpreh ai, në këtë proces është një inkuadrim i madh i Perëndimit.

Lexo po ashtu BE flet për takimin e 4 majit në Berlin mes kancelarit gjerman me Kurtin e Vuçiqin – thotë se synon të mbështesë dialogun

“Tentativa e kancelarit gjerman do të jetë zhbllokimi i procesit të dialogut, dhe mundësia për të arritur sa më parë marrëveshjen finale. Nëse gjithçka shkon mirë në takimin e nesërm me shumë gjasë shumë shpejt mund të kemi një takim të nivelit të lartë Kurti – Vuçiq me ndërmjetësim të Lajçak për të filluar raundin final të dialogut. Mundësi për me pas një marrëveshje është e madhe për faktin se kemi inkuadrim të madh të Perëndimit në këtë proces, sidomos nga SHBA-të dhe BE, e tash edhe nga kancelari gjerman. Mendoj që ditëve në vijim mund të ketë lëvizje pozitive në drejtim të një marrëveshjeje”, ka thënë Demhasaj për Telegrafin.

Lexo po ashtu Kancelari gjerman Scholz, më 4 maj në Berlin pret Kurtin, Vuçiqin dhe Lajçakun

Ndryshe, të mërkurën, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të pres në Berlin, në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Po atë ditë, në Berlin do të udhëtojë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit fillimisht do të takohet me kancelarin Scholz e pastaj do të zhvillojë takim jozyrtar të veçantë me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë. /Telegrafi/