Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri nuk pret vazhdim të dialogut deri pas zgjedhjeve në pranverë. Sipas saj, procesi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është bllokuar tash e dy vjet, për çka konsideron se Serbia po përfiton.
Në intervistën për KosovaPress, Tahiri flet për raportet e qeverisë me partnerët ndërkombëtarë, për çka ajo fajëson kryeministrin, Albin Kurti se ka izoluar Kosovën.
Ajo deklaron se sovraniteti në veri nuk ekziston dhe se nismën për hapjen e Urës së Ibrit, Kurti e nisi i vetëm dhe dështoi.
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri konsideron se Kosova për këto vjet qeverisje të kryeministrit Albin Kurtit, Kosova është izoluar.
“Situata në Kosovë politike dhe e sigurisë nuk është e mirë. Është një situatë që ka vënë Kosovën në një pozitë të rëndë nënshtruese, jo vetëm përballë dialogut të Brukselit, por edhe përballë diplomacisë botërore. E para për shkak se politika anti-amerikane e Kurtit bëri që të prishen marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe Amerikës, aleatit tonë kryesor që na përkrahi që të bëheshim shtet i lirë dhe sovran.
Pastaj, u sulmuam në Banjskë, Kosova u ndëshkua, Serbia nuk u ndëshkua sot e kësaj dite, ndëshkimet që i ka Kosova e kanë izoluar Kosovën për faktin se tashmë kreu i shtetit të Kosovës është izoluar edhe vet sepse janë mbyllur të gjitha shtigjet e vizitave ndërshtetërore. Askush nuk ka udhëtuar, as kryeministri, as presidentja, as ministrja e Jashtme në shtetet e rëndësishme nëpër botë. As nuk kemi vizita. Dëshiroj të theksojë që mos me qenë këto takime rajonale, e samite, udhëheqja do të rrinte në shtëpi”, deklaron Tahiri.
Ish-ministrja për dialog thotë se pjesëmarrja e krerëve të shtetit në takime rajonale, nuk nënkupton edhe vizita zyrtare.
Tahiri shtoi se kreu i ekzekutivit nuk po i sjell suksese Kosovës, por vetëm dështime.
“Sovraniteti në veri nuk ekziston për shkak të dështimeve të Kurtit, i cili me fjalë flet që ka por në terren nuk ka sovranitet. Pse po e them? Sepse nuk funksionojnë gjykatat, arsyeja është siç e dimë që pakica serbe në veri bojkotoi zgjedhjet lokale me direktivat e Vuciqit, por me gabimin e Kurtit. Katër komunat nuk funksionojnë. Nuk kemi të themi një polici të mirëfilltë, sepse mungon pakica serbe. Ndërkohë, kemi jostabilitet nëpër pikat kufitare edhe atje ku nuk ka pakicë serbe.
Siç e kemi parë, nonstop ose hapen ose mbyllen pikat kufitare. E mos të flasim që populizmi i Kurtit e ka bërë që ai të merret me disa tema të vogla në veri sa për t’i bindur këta militantët e vet që gjoja po bën diçka për shembull, rasti i fundit u mbushen mediat se po e hap urën. Çka bëri? Dështoi, sepse ura nuk është lehtë të hapet. Me pas qenë lehtë ishte hapur që nga viti 1999. Ura mund të hapet kur të zbatohen marrëveshjet e arritura vitin e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne e dimë që asnjë nga marrëveshjet nuk janë zbatuar, dialogu është ndalur”, thekson Tahiri në intervistën për KosovaPress.
Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Tahiri konsideron se këtë e nisi i vetëm Albin Kurti, për çka thotë se edhe dështoi.
“Kurti e nisi i vetëm këtë iniciativë duke pasur vetëbesimin bosh. Ka menduar që është lehtë, siç është rasti kur mori pjesë në dialog. Sepse në fillim e kundërshtoi e pastaj u bë pjesë e dialogut. Duke menduar që është lehtë sepse e kanë bërë të tjerët dialogun dhe sukseset e dialogut. Dhe prandaj ka menduar që është lehtë, kur filloj të dështoj në dialog i ndali zbatimet, filloi të kërkojë gjoja zbatim të marrëveshjeve, ndërkohë që ishte vet në tavolinë kur u arrit marrëveshja në vend se në tavolinë të kërkoj nënshkrimet.
Sepse nuk ka dije, nuk ka aftësi as për marrëdhënie ndërkombëtare as për negociata. Pra, edhe në urë e nisi vetëm siç nisi edhe shumë gjëra të tjera në veri vetëm. Mandej kur po i vijnë puntë ngushtë vrap po shkon po lut fshehurazi amerikanët dhe KFOR-in që ta mbrojnë Kosovën. E nisi vetëm dhe kur e pa që dështoi, atëherë gjeti fajtorin”, thekson ish-kryenegociatorja.
Edita Tahiri, e cila dikur ka drejtuar bisedimet me Serbinë në Bruksel, flet edhe për raportet mes presidentes e kryeministrit, për cka thotë se kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani ka shpërthyer në deklarata kundër qeverisë.
“Përveç opozitës askush nuk ka fol, madje edhe presidentja që ka me kushtetutë obligim të mbrojë dhe të avancojë interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, ajo kishte mbyllur gojën. Pse? Sepse u bë presidente me votat e Kurtit. Pastaj cfarë ndodhi, kur u prishën marrëdhëniet e tyre dhe ato u prishën, sidomos sepse jemi duke hyrë në zgjedhje në Kosovë, meqë Kurti nuk e përfshiu Vjosën e Donikën në zgjedhje të dalin bashkë, atëherë presidentja shpërtheu me kritika ndaj qeverisë dhe Kurtit, madje ia tha hapur që edhe asociacionin e pranove gabimisht.
Sepse Kurti e dha asociacionin gabimisht. Unë gjithmonë thoja që asociacioni jepet për njohje de-jure të Kosovës nga Serbia, Kosova e dha gjoja për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Edhe aty dështoj nuk u anëtarësuam dhe tani po shohim vet presidentja po flet siç folshim ne që kishim shikim kritikues për të mirën e Kosovës për gabimet historike e kapitale të Kurtit dhe qeverisë së tij”, thekson Tahiri.
Tahiri nuk pret vazhdim të dialogut para procesit zgjedhor të 9 shkurtit, për çka shpreson në rotacion politik.
“Dialogu është i bllokuar tash e dy vjet. Dhe nuk ka asnjë zbatim të marrëveshjeve, nga ky dialog në këtë situatë Serbia përfitoj në kuptimin që sulmoj Kosovën në Banjskë me një sulm agresor. Por nuk u ndëshkua nga faktori ndërkombëtar, Kosova u ndëshkua sot e kësaj dite. Pra sa i takon dialogut, unë nuk pres tani vazhdim të dialogut. E para, është që Kosova ka hyrë në procesin zgjedhor dhe kur gjithmonë në praktikat e dialogut, qoftë njëra apo tjetra palë hyn në zgjedhje nuk mund të marrë vendime në dialog, nuk pres deri në pranverë në zgjedhje të ndodhë rifillim të dialogut. Unë po dua të shpresoj që në zgjedhjet e shkurtit të kemi rotacion politik, të heqin Kurtin në mënyrë që Kosova të shoh dritë, të rikthejmë marrëdhëniet me amerikanët, të hiqet izolimi”, konsideron ish-ministrja për dialog. /KP/