Telegrafi

Tahiri: Sot në tri takime do të flasim për nevojën e shpejt të liberalizimit të vizave për Kosovën

Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Bruksel, ku në tri takimet e parapara do të flasë për nevojën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kështu ka njoftuar zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri përmes një postimi në Facebook.

“Bashkë me Kryeministrin Hoti sot do të kemi disa takime me rëndësi në Parlamentin Evropian, me z. David Sassoli, President i Parlamentit Evropian, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Grupin e Miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian. Në të tri takimet do të flasim për nevojën e shpejt të liberalizimit të vizave dhe agjendën evropiane për Kosovën”, shkruan Tahiri.

Lexo po ashtu Hoti sërish viziton Brukselin

Ndryshe, ky takim vjen menjëherë pas takimit që pati Hoti po në Bruksel me emisarin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Hoti kishte thënë  se ka një koordinim të plotë në mes të BE-së dhe SHBA-së lidhur me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi./Telegrafi/