Telegrafi

Tahiri i reagon Kurtit pas deklaratës për ndryshim të kryesindikalistëve: Stop taktizimit, implementoje Ligjin e Pagave

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se duhet të ndryshohen udhëheqësit e sindikatave. 

Tahiri përmes profilit të tij në Facebook, tha se Ligji i Pagave nuk ka të bëjë asgjë me ndërrimin e udhëheqësve të sindikatave, por me rreth 80 mijë zyrtarë publikë të Kosovës.

Sipas Tahirit, Kurti me deklaratën e fundit, ka zgjedhur të taktizojë komunikimin virtual me sindikata.

“Në një anë, ai thotë se duhet të ndryshohen përfaqësuesit e sindikatave, ndërsa në anën tjetër, e konfirmon takimin me ta”.

“Kurti preferon presionin para bashkëpunimit, ndërhyrjen para përfshirjes, pushtetin para të tjerëve dhe para partneritetit. Stop, taktizimit, votojeni amandamentin buxhetor me 22 dhjetor 2021”, shkroi Tahiri.

Ndaj Kurtit pati reagime edhe nga kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari.

Lexo po ashtu Syla: Po na kërcënon Kurti, nesër do t’u ankohem ambasadave - koha e diktatorëve ka kaluar

Sipas Jasharit kjo deklaratë nuk është dashur të ndodh ngase nuk është çështje e Kurtit se kush do t’i udhëheq sindikatat.

Tutje, ai tha se nesër bashkë me stafin do të përgatitin një shkresë për ta njoftuar unionin e sindikatave të Evropës lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, nga të cilët edhe pret reagim drejt kryeministrit.

Ndërkaq, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, deklaratën e Kurtit e ka quajtur kërcënim për udhëheqësit e sindikatave.

Syla u shpreh se për këtë do të kontaktojë me përfaqësues ambasadave të huaja dhe të shteteve të QUINT-it në Kosovë./Telegrafi/