Ministri i Drejtësisë, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj një deklarate të liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili tha se një koalicion paraprak opozitës aktuale do t’i siguronte së paku 70 deputetë në parlament pas zgjedhjeve të ardhshme.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në Vetëvendosje ‘ka rënë kambana e panikut’ dhe se kjo parti ka frikë nga zgjedhjet, e sidomos nga ajo që i pret pas tyre.
“Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, ‘lideri shpirtëror’ i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor. Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pa kapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione”, ka shkruar Tahri
Postimi i plotë i Tahirit:
“Para dy orësh, ra kambana e panikut. Albin Kurti dhe partia e tij e thyer kanë frikë nga zgjedhjet e veçmas nga ajo që i pret pas tyre. Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, “lideri shpirtëror” i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor. Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pa kapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione. Aventurë alla Don Kishot, me beteja, e pa beteja, me ankth e me festa, me iluzione e pa to, duke marrë vullnetin e popullit në duart e veta për të caktuar edhe numrin e deputetëve që populli medoemos duhet t’ia “prodhojë”. Pas zgjedhjeve, Albini dhe partia e tij e thyer, do përballen me disfatën e radhës, disfatën që do t’i peshojë aq sa vlejnë e jo aq sa mund të kamuflojnë. Qytetarët e Kosovës dhe nga sot zyrtarisht edhe ata individë që mund të kenë pasur dilemë, tashmë e kanë të qartë se pushteti nuk është aventurë që t’iu shërbehet atyre që s’besojnë as vetë se janë të denjë për të”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/