Telegrafi

Tahiri: Kuvendi do të dështojë ta miratojë rezolutën, që ia ndalon Thaçit të bisedojë për territorin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet miratimi i një rezolute e cila ia ndalon presidentit Hashim Thaçi të bisedojë me Serbinë për korrigjim të kufirit.

Njohësit e rrethanave politike thonë se më mirë sesa miratimi i një rezolute, do të ishte zyrtarizimi i një ekipi negociator me përfshirje të gjerë.

Megjithatë, sipas analistëve, miratimi i një rezolute konsiderohet puç kushtetues.

Analisti politik Ramush Tahiri, thotë se Kuvendi i Kosovës nesër do të dështojë ta miratojë rezolutën, e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territorin e Kosovës. Por, edhe nëse eventualisht miratohet rezoluta, sipas Tahirit, ky do të ishte një puç kushtetues, raporton RTK.

Lexo po ashtu Seanca e jashtëzakonshme për dialogun, PDK thotë se do të marr pjesë

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, thotë se në vend të rezolutës Kuvendi nesër do të duhej të arrinte konsensusin për zyrtarizmin e një grupi negociator, të cilit, sipas tij, në çdo variant do t`i printe presidenti Thaçi, njësoj siç bëri ish-presidenti Sejdiu në negociatat e Vjenës.

Kuvendi i Kosovës deri tani ka miratuar dhjetëra rezoluta për çështje të ndryshme, në mesin e tyre edhe për dialogun me Serbinë në vitin 2012, ndërsa vetëm në 9 muajt e këtij viti ka miratuar 18 rezoluta.

Lexo po ashtu PSD: Grupi negociues i Qeverisë, instrument për legjitimim të Thaçit

Albert Krasniqi nga KDI thotë se rezolutat si akt nuk kanë asnjë efekt juridik, por, sipas tij, miratimi i një rezolute në seancën e nesërme do të ishte tregues i një vullneti politik për ta kundërshtuar presidentin e vendit në idetë e tij për shkëmbim territoresh.

Seanca e nesërme e Kuvendit mbahet pas kërkesës së opozitës, si reagim ndaj deklarimeve të presidentit Thaçi që në dialogun me Serbinë të bisedohet edhe për korrigjim kufijsh në mes të dy vendeve.

Lexo po ashtu Kryesia merr vendim: Kuvendi nesër mban dy seanca të jashtëzakonshme