Telegrafi

Tahiri: Kurti po përpiqet t’ia grabisë kompetencat AKI-së

Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se po defaktorizon Agjencinë Kosovare të Inteligjencës duke ia marr kompetencat për lëshimin e lejes së sigurisë.

Tahiri ka thënë se “me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, lëshimin e lejes së sigurisë nuk do ta bëjë AKI-ja, por një zyre që po e themelon Albin Kurti”.

“Agjencia Kosovare e Inteligjencës, e cila, si një organ i pavarur që vepron mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, aktualisht është autoriteti i vetëm për të lëshuar leje të sigurisë për qasje në informacione dhe dokumente të klasifikuara”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej, Tahiri ka thënë se “kjo përgjegjësi dhe kompetencë që i takon AKI-së si Autoritet Verifikues, sot po përpiqet të grabitet nga pushteti i Albin Kurtit, i cili me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, dëshiron ta themelojë një institucion brenda Zyrës së Kryeministrit që do të jetë përgjegjës për vlerësimin dhe pajisjen me leje të sigurisë”.

“Me këtë akt, garancitë ligjore për të pasur verifikim të drejtë e legjitim për leje të sigurisë për qasje në informacione të klasifikuara, kalojnë nga një organ i pavarur si AKI-ja, në një organ që menaxhohet nga zyra e kryeministrit, duke shënuar kështu përpjekjen më flagrante për të shembur traditën institucionale në kurriz të sigurisë sonë kombëtare e shtetërore”.

Tahiri thotë se “kjo mësymje për të vënë duart në një mekanizëm jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë,  ngjason me pushtetet autoritare ku pushtetarët e jo ligji, vendosin se kush është i denjë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara, duke shënuar kështu preludin e një mentaliteti frikësues e shantazhues që Albin Kurti po përpiqet ta instalojë në Kosovë”. /Telegrafi/