Ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i përgjigjet me tallje shqetësimit të qytetarëve për përfshirjen flagrante të Serbisë në komunat veriore të Kosovës.
Sipas tij, Qeveria e mëparshme u kujdes ta luftojë krimin e organizuar në komunat veriore, duke prishur oazat e pasurimit kriminal e duke i çliruar edhe qytetarët e asaj pjese nga të bëmat e shumta të akterëve të krimit.
“Ndërsa qeveria në ikje e Albin Kurtit, jo vetëm që s’ka bërë asnjë përpjekje për rend e ligj në atë pjesë të territorit të Republikës, por ka dezertuar me paramendim edhe ndaj kujdesit humanitar e shëndetësor ndaj qytetarëve të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit e Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Tahiri.
Tahiri e ka quajtur Kurtin paranoik të papërgjegjshëm që sipas tij, ka dështuar të menaxhojë situatën në veri.
“Ky paranoik i papërgjegjshëm e parashikues i dështuar që flet për shampanja e gjakderdhje si shpjegim për dështimin e tij, duhet të turpërohet për mënyrën se si e ka trajtuar Kosovën si shtet sovran dhe se si i trajton qytetarët e vendit tonë me monologje sureale. Por ky turp nuk ka. Mbi turpin i ka interesat”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/