Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka pyetur Qeverinë e Kosovës se a ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës, që të emërohet Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala konsull në Pragë, gjë e cila u mohua nga zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri.
Tahiri tha se në asnjë moment nuk është diskutuar që të jetë ky emërim pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
“Kur kemi diskutu për këtë marrëveshje, kemi bo një program që ka derivuar prej një situate goxha të rëndë. Mund ta konfirmoj se nuk ka qenë marrëveshje e koalicionit”, tha Tahiri.
“Sa i përket rastit konkret, unë i kuptoj disa çështje, diskursi në vend është shumë i ngarkuar, e i hidhëruar me punësimet partiake që kanë ndodh tash e 20 vite. Mos të harrojmë që shumë fëmijë të politikanëve që kanë aftësi profesionale, e nesër janë edhe fëmija juaj janë të anatemumë kur flas për punësimet. Unë njoh shumë, po kaq shumë është i ngarkuar diskursi publik, sa pa marrë parasysh një fëmijë i një politikani me kanë ma i miri, thonë se ka hi me të njofshëm”, tha ai.
Sipas Tahirit, djali i Haxhi Shalës, ka përcjellur të gjitha procedurat e parapara dhe ka pasur përgatitjen profesionale për pozitën në të cilën është emëruar.
“Rasti në fjalë ka një përgatitje të avancume akademike, i ka përcjellë të gjitha procedurat që i ka vënë ministria, fatmirësisht e fatkeqësisht ka qëllu me kanë djali i Haxhi Shalës”, tha Tahiri. /Telegrafi/