Ballkani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Ferizajt me rezultat 3-0.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi kësisoj rikthehet në krye të tabelës pas 19 xhirove të zhvilluara në Ipko Superligë.
Therandasit kanë 40 pikë dhe prijnë të vetëm, ndërsa kanë mbrapa Dritën dhe Prishtinën me nga 37 pikë.
Në vendin e katërt ndodhet Gjilani me 35 pikë, që pas fitores së sotme vazhdon garën për titull me tri skuadrat sipër tyre.
Interesant është gara edhe për mbijetesë, kur kihet parasysh që katër skuadra do të bien direkt.
Dukagjini ndodhet në pozitën e fundit me nëntë pikë, ndërsa Vushtrria të parafundit me 15.
Nga pozita e 10-të që mbahet nga Ferizaj me 19 pikë deri tek pozita e pestë që ndodhet Feronikeli me 28 pikë, janë duke luftuar për t’i ikur rënies.
Gjithsesi në javën e ardhshme mund të kemi ndryshime të mëdha në tabelë, pasi luhen ndeshje tejet interesante ku derbi i javës është mes Prishtinës dhe Ballkanit. /Telegrafi/