Ka përfunduar java e 26-të në Ipko Superligën e Kosovës ku janë arritur disa rezultat mjaftë befasuese.
Ka qenë një javë ku janë regjistruar katër barazime, teksa kanë fituar vetëm dy skuadrat gjilanase, Drita dhe Gjilani.
Lideri aktual i Superligës, Drita ka fituar në udhëtim me rezultat të thellë 0-4 te Vushtrria dhe ndodhet në pozitën e parë me 55 pikë.
Fitore në udhëtim ka marrë edhe Gjilani që ka mposhtur 1-3 Dukagjinin dhe tani ka 51 pikë, sa ka edhe Prishtina që u ndal nga Llapi në Podujevë në barazim 1-1.
Ballkani nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë nga udhëtimi në Ferizaj, ndërsa në paqe u ndanë edhe Feronikeli dhe Drenica.
Sfida për mbijetesë mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit gjithashtu përfundoi baras 1-1.
Drita që mbetet e para është në rrugë të mirë për ta rikthyer titullin në Gjilan, por deri në fund ka shumë ndeshje dhe mbrapa ka skuadra të fuqishme si Prishtina e Gjilani që kanë nga katër pikë më pak dhe Ballkani në vendin e katërt me pesë pikë më pak.
Feronikeli zë pozitën e pestë në tabelë me 44 pikë, apo 11 më pak se lideri Drita, ndërsa Llapi është e gjashta me 38 pikë.
Drenica me pikën e fituar sot shkoi në kuotën e 35 pikëve dhe zë vendin e shtatë, ndërsa Flamurtari është i teti me 33 pikë.
Trepça ’89 dhe Ferizaj janë në pozitat 9 dhe 10 me 28 respektivisht 26 pikë, ndërsa dy skuadrat e fundit janë Vushtrria dhe Dukagjini. /Telegrafi/