Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Prokuroria ka nisur ta trajtojë lëndën ku Albin Kurti dhe Glauk Konjufca i janë drejtuar Departamentit për krime të rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku më 25 prill të këtij viti bënë kallëzim penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për lajmërim apo kallëzim të rremë.
Në njoftimin për media të Vetëvendosjes thuhet se Hashim Thaçi, president i Republikës dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit, kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.
“Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur”, thuhet në njoftim.
“…Dëshirojmë të rikujtojmë për opinionin publik se Hashim Thaçi, president i Republikës dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit, kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës ‘Organizata Syri i Popullit’, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste. Pasi që dorëzuan kallëzimin penal deputeti Konjufca i cilësoi dëshmitë e rrejshme të Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si ‘përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit'”, thuhet në njoftimin e VV-së.
“Edhe pse e kemi pritur më shpejt veprimin e prokurorisë, qysh prej fillimit ne kemi shprehur bindjen dhe nuk kemi reshtur kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi është ende i kapur”, thuhet më tej. /Telegrafi/