Site icon Telegrafi

Synimi i fundit i ukrainasve ishte rezidenca e Putinit në Tver

Dronët tentuan të sulmonin një nga rezidencat e diktatorit rus, Vladimir Putin gjatë ditës së sotme, shkruan gazeta ruse në gjuhën angleze The Moscow Times.

Në një publikim në Telegram, gazeta shfaqi edhe një video që pretendonte se ky ishte momenti kur një dron u shkatërrua pranë qytetit Zavidovo në Tver Oblast, i cili është rreth 110 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit rus, afër vendit ku lideri rus raportohet se ka një rezidencë.

Lexo po ashtu Piloti rus që dezertoi në Ukrainë me helikopter: Vdekje, lot e gjak - nuk do të jem pjesë e saj

Rezidenca ‘Rus’ ndodhet rreth 19 kilometra në perëndim të Zavidovos, e vendosur në pyll mes një labirinti lumenjsh dhe ishujsh gjarpërues.

Në të kaluarën, udhëheqësit sovjetikë dhe më vonë rusë përdorën zonën për gjueti. Putin, i cili raportohet se nuk është i dhënë pas gjuetisë, rrallë e viziton rezidencën.

Mbetjet e një droni të rrëzuar gjithashtu dyshohet se kanë rënë në një garazh me cilindra gazi në Pavlovskaya Sloboda afër Moskës. Disa shpërthime të fuqishme u dëgjuan pasi një zjarr shpërtheu në vendin e përplasjes. Nuk raportohet për të lënduar.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se kishte ndaluar “përpjekjen e Kievit për të sulmuar territorin rus me UAV”. Një dron dyshohet se u shkatërrua mbi rajonin e Kaluga nga mbrojtja ajrore.

Ndryshe, autoritetet ukrainase kohët e fundit kanë deklaruar se gjithnjë e më shumë sulme do të ndodhin brenda Rusisë. /Telegrafi/

Exit mobile version