Site icon Telegrafi

Sylvinho publikon listën me emrat e 25 lojtarëve për sfidat me Çekinë dhe Poloninë, dy ish-yjet e Kosovës pjesë e të ftuarve

Kombëtarja Shqiptare është gati të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve të kampionatit Evropian “Gjermani 2024” me trajnerin Sylvio Mendes Campos Junior që ka shpallur sot (e premte) edhe me listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto sfida.

Krahasuar me ndeshjet e muajit qershor, këtë herë do të ketë ndryshime në listë, teksa ka emra të rinj, por edhe rikthime të rëndësishme në grupin kuqezi.

Dy risitë kryesore janë emrat e sulmuesve Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët ftohen për herë të parë me kuqezinjtë, pasi më parë luajtën për Kosovën.

Lexo po ashtu Ekskluzive: Arbnor Muja merr vendimin përfundimtar, do të luajë për Shqipërinë

Në mesfushë ka ndërkohë dy rikthime të rëndësishme me Klaus Gjasulën dhe Odise Roshin që janë ftuar për dy sfidat e shtatorit, ndërkohë që edhe në mbrojtje ka një tjetër emër që vjen pas një mungese, ai i Arlind Ajetit.

Do të mungojë këtë herë mesfushori Armir Abrashi, teksa sa i përket pjesës tjetër të listës nuk ka ndryshime dhe konfirmohet grupi i lojtarëve, që ishte i përkushtuar edhe në ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në qershor.

Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet ditën e hënë, datë 4 shtator, me kuqezinjtë që do të grumbullohen në Tiranë dhe stërvitjet do të zhvillohen në Shtëpinë e Futbollit. Sakaq, në prag të grumbullimit trajneri Sylvinho do të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe objektivat për dy nga sfidat më të rëndësishme në këto kualifikuese.

Shqipëria do të luajë në udhëtim ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe tre ditë më pas, më 10 shtator, do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”. /Telegrafi/

Exit mobile version