Telegrafi

Sveçla viziton pjesëtarët e policisë në veri të vendit, i përgëzon për përkushtim në kryerjen e detyrave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot zyrtarët e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë vizitës i ka falënderuar zyrtarët policorë për punën, përkushtimin dhe korrektësinë.

“Vendosmëria e trupës së policisë përbën një nga garancitë e Republikës. Ne e synojmë bashkarisht Kosovën si shembull të demokracisë, ku rendi e ligji i vendos qytetarët në liri e barazi pa dallim. Policia është e Republikës sepse të gjithë qytetarët janë të Republikës”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “vendosmëria e zyrtarëve policorë na e shtoi edhe më shumë bindjen dhe energjinë për projektin tonë të shtetimit. Policia sot është institucioni më i denjë i këtij projekti”, ka shkruar ai.

Postimin e tij për vizitën e tij në veri Sveçla e ka shoqëruar me një vide-incizim. /Telegrafi/