Site icon Telegrafi

Lëndohen tre policë gjatë arrestimit të Milun Milenkoviqit

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar gjatë arrestimit Milun Milenkoviq, i njohur si Llune, e që është njëri nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Puënve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.

Lexo po ashtu Konfirmohet arrestimi i Milun Milenkoviq, njëri nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”.

“Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”, ka shkruar Sveçla.

Njësia Speciale e Kosovës është stacionuar në lagjen e Boshnjakëve të veri të Mitrovicës, pas arrestimit të Milenkoviqit.

Pas këtij veprimi të policisë, në këtë pjesë të vendit është dëgjuar alarmi, përmes së cilit grupet ilegale atje kërkojnë grumbullimin e qytetarëve serbë. /Telegrafi/

Exit mobile version