Telegrafi

Sveçla: Sulmi ndaj policëve, sulm për rendin e Republikës

Foto: Arkiv

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj dy policëve të cilët mëngjesin e së dielës mbetën të plagosur.

Sveçla, përmes një shënimi në Facebook, lidhur me përleshjen e Nuredin Lushtakut me dy policë, ka thënë se ky është sulm jo vetëm ndaj zyrtarëve policorë por edhe ndaj rendit të Republikës.

“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar Sveçla.

Teksa i ka uruar shërim dy të plagosurve, ministri Sveçla ka theksuar se posa të kthehet nga Brukseli ku edhe po qëndron për vizitë zyrtare, do t’i vizitojë të lënduarit.

Lexo po ashtu Mjekja kujdestare flet për gjendjen e policit të plagosur: Plumbi ia ka tejshpuar shputën e majtë

“Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka shtuar se pret nga organet e rendit që të marrin masa.

“Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrim masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit”, potencoi ministri.

Lexo po ashtu Sulmi ndaj policisë, reagon Vlora Çitaku: Turp të qoftë Nuredin Lushtaku

Ndryshe, avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini, e ka konfirmuar se klienti i tij, ish-gjenerali Lushtaku, është liruar nga stacioni policor pas intervistimit për dyshimet se mund të ishte i përfshirë në plagosjen të dy policëve të Kosovës./Telegrafi/