Telegrafi

Sveçla reagon për sulmin më armë në veri: Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, synimi kryesor i yni

Ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla  pasi një grup i atletëve u sulmua me armë në pjesën veriore të Kosovës.

Sveçla e quan fat të mirë që nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur nga kjo ngjarje.

Ai thotë se incidente të tilla tregojnë për brishtësinë e sigurisë në atë pjesë të Kosovës.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”, njofton Sveçla  në Facebook, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Incidenti me armë zjarri në Zubin Potok, flasin nga grupi i organizatorëve të ecjes: Të shtënat ishin shumë afër

Ministri i Punëve të Brendshme ka treguar edhe mënyrat se si kjo qeveri parashikon ta forcojë rendin dhe ligjin në atë pjesë të vendit tonë.

“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i yni. Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”.

Lexo po ashtu Osmani reagon për incidentin në Zubin Potok: Akt kriminal, organet e rendit të zbulojnë autorët sa më parë

Sveçla ka premtuar se do të kërkojë nga Policia e Kosovës sa më shpejtë të japin rezultate konkrete për të përmirësuar situatën në veri.

“Do të kërkoj nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla”, ka shkruar më tej Sveçla në Facebook./Telegrafi/