Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur aksionin në veri të vendit, ku u sekuestruan armë dhe pajisje për trazira si dhe pajisje për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave.
Sipas ministrit, ky operacion është një dëshmi e mëtejshme se lista e kriminelëve dhe terroristëve që gjejnë strehim në Serbi po zgjerohet.
“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira dhe të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi,” tha Sveçla.
Ai theksoi se lufta kundër terrorizmit po vazhdon pa ndërprerje dhe se Kosova nuk do të lejojë që territori i saj të bëhet strehë për kriminelët.
“Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve dhe terroristëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona,” shkroi ministri në një postim në Facebook.