Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, Xhelal Sveçla, i është kundërpërgjigjur ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pasi ky i fundit e ka akuzuar Sveçlen se po përpiqet të manipulojë opinionin për procesin e furnizimit e qytetarëve me targa dhe dokumente personale.
Veliu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Sveçla gjatë qëndrimit në ministri [MPB si zëvendësministër] nuk ka bërë asnjë punë, duke shtuar se ai [Sveçla] duhet të jap llogari për hyrje në dhomat e përgjimeve dhe për kasafortën ku kishte dokumente të klasifikuara.
Reagimi i Veliut erdhi pas akuzave të ish-zv.ministrit Sveçla se ministri Veliu po bën dallavere me tenderët për targa të automjeteve, duke cituar një lajm nëpër medie që tregonte se një kompani kishte fituar tenderin me trefishin e çmimit fillestar.
Sveçla, përmes një postimi në facebook, i është kundërpërgjigjut ministrit Veliu se “mijëra policë mezi që presin që t’u çelet udha për ta hetuar e zbuluar vrullin tuaj korruptiv”.
Postimi i plotë i Sveçlës:
“KOTËT kot e kanë.
Mund t’i shpërbëni gjithë njësitë e specializuara, po edhe veç njësia e trafikut policor nëse mbetet, me ta do t’iu hetojmë e zbulojmë.
Mijëra policë mezi që presin që t’u çelet udha për ta hetuar e zbuluar vrullin tuaj korruptiv.
HAJNAT N’BURG!”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/