Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e ka quajtur të paprecedent dhe të papranueshëm vendimin e gjykatës serbe që t’iu caktojë masën e paraburgimit tre policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen më 14 qershor nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tre zyrtarët tanë policorë të kidnapuar në territorin tonë nga forcat speciale të Serbisë, vazhdojnë të mbahen në Serbi dhe për më keq, atyre sot iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”.
“Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë”.
“Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka mësyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona”, ka shkruar ai.
Ai thotw se të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njëjtë që pranojnë urdhra të tillë kriminal nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. “Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cenojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhrat i marrin nga Beogradi”.
“Përkundër të gjitha sulmeve, Policia jonë nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/