Site icon Telegrafi

Sveçla: Djali i Vuçiqit u shfaq me një bluzë provokative në Graçanicë, u ndal vetëm një herë nga Policia e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të enjten në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur për masat e Policisë për mbarëvajtjen e manifestimit për “Vidovdanin”, gjersa ka thënë se djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili mori pjesë në manifestim ka hyrë si qytetar i rëndomtë në Republikën e Kosovës.

Sveçla u shpreh se djali i Vuçiqit u shfaq me një bluzë provokative në Graçanicë.

“Ai në Kosovë ka hyrë si qytetar i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit për hyrje si qytetar i rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai është shfaq në Graçanicë me atë bluzë provokative. Por, sipas informatave të Policisë kanë dal dhe kanë kontrolluar ata që janë dukur të çuditshëm, njëjtë ndodhi dhe me djalin e Vuçiqit”, ka thënë ministri i MPB-së.

Lexo po ashtu Shpallen terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Sveçla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është gënjeshtar kronik dhe se Policia e Kosovës nuk e ka ndal tri herë djalin e tij, por vetëm një herë, raporton Telegrafi.

“Të gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në Qeverinë e Millosheviqit, por se vazhdon të dëshmojë se është gënjeshtar kronik. Djali i tij nuk është ndal tri herë nga Policia e Kosovës, por vetëm një herë në dalje të Prishtinës, në drejtim të Serbisë”, tha ai.

I pyetur se a ka organizata tjera terroriste në vend pos këto dy organizata, Sveçla tha: “institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës, etj në vazhdimësi punojnë në hetimin e ngjarjeve të cilat kanë ndodh dhe vazhdojnë të ndodhin në veri. Në momentin që kanë dëshmi relevante për ndonjë organizim, qeveria do të marrë vendime”.

Ai po ashtu foli edhe për qëndrimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili ka kundërshtuar që ​“Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste.

“Rashiq ishte i qartë në fjalimin e tij, brenga e tij ishte tek hapat…. Qëndrimi i tij ishte legjitimë edhe pse nuk pajtohem me të”, tha ndër të tjera ministri Svçla. /Telegrafi/ 

Exit mobile version