Site icon Telegrafi

Supremja e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe

Foto: Arkiv

Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë, si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka Lutfiu.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha  zëdhënësja e kësaj gjykate.

Ndryshe, më 27 dhjetor, partia në pushtet u ankua në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo parti nuk u certifikua nga KQZ për të marr pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lidhur me këtë Lista Serbe kishte paraqitur ankesë në PZAP.

PZAP-i e pranoi ankesën e Listës Serbe duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Përfaqësuesit e LVV e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”. /Telegrafi/

Exit mobile version