Emocione në fushë dhe në tribuna. Edhe pse me dy humbjet në ndeshjet e para të grupit, Shqipëria nuk do të kalojë pa lënë gjurmë në Kampionatin Evropian.
Të gjitha mediat botërore janë të dashuruara me Kombëtaren, me lojtarët që japin gjithçka në fushë për fanellën dhe me tifozët që kanë dhuruar spektakël në ndeshjen në Lens dhe Marsejë.
Më e fundit që i shtohet listës së admiruesve të Shqipërisë është The Sun. “COME ON AL-BABE-IA” titulli i përdorur nga tabloidi britanik, që njihet për lojën e fjalëve, duke iu referuar në këtë rast tifozeve bukuroshe të kuqezinjve.
“Shqipëria është në prag të eliminimit nga Euro 2016, por ne dëshirojmë që ata të qëndrojnë”, shkruhej në hyrje të artikullit të The Sun.
Tabloidi citonte se pjesëmarrja e Kombëtares së drejtuar nga Gianni de Biasi në evenimentin në Francë, në vetvete përbën një “mrekulli të vogël”, me kuqezinjtë që përmbysën të gjitha parashikimet duke u kualifikuar direkt në Kampionatin Evropian.
The Sun nënvijëzonte se mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve të Shqipërisë ishte një spektakël më vete, mbi të gjitha në ndeshjen e luajtur në Marsejë me Francën.
E kur verdikte të tilla vijnë nga anglezët, që njihen për pasionin dhe spektaklin që dhurojnë në tribuna, e kupton që pavarësisht rezultateve në fushë dhe si do të mbyllet sfida e fundit në grup me Rumaninë, Shqipëria e ka fituar Evropianin e saj.