Rreth orës 02.00 të mëngjesit, rahatia në Zubin Potok iu prish një familjeje me një granatë dore.
Aty dikush e hodhi atë mjet shpërthyes e si pasojë u dëmtua vetura në disa pjesë dhe dritarja e shtëpisë.
Kjo shtëpi e vetura i takojnë një qytetari nga komuniteti serb, por i cili punon me kryetarin e Zubin Potokut nga PDK-ja, Izmir Zeqiri.
Familjarët, të frikësuar nga rasti, nuk deshën të flisnin para kamerës, pikërisht me arsyetimin se sulmi ndaj tyre mund të përsëritet.
Por, kryetari Zeqiri e vizitoi në mëngjes këtë familje dhe tha se ata më të shqetësuar janë për fëmijët e tyre.
“Unë isha në vizitë tek bashkëpunëtori im, sepse ai i ka disa fëmijë të vegjël dhe e di që ju kanë shqetësu edhe fëmija, sepse para shtëpisë kanë rënë copëza të bombës. Mirëpo intensivisht janë duke hulumtuar rastin policia dhe hetuesia”, ka deklaruar Zeqiri, raporton RTV Dukagjini.
Të dyshuar nuk ka dhe për shkak se procesi është akoma në hetime, nga policia nuk u dhanë shumë detaje.
“Atë çka mund të konfirmojmë është që sot në mëngjes rreth orës 02:30 ka ndodhë një shpërthim në oborrin e një shtëpie ku ka pas dëmtim të një veture dhe xhamat e shtëpisë. Policia kanë dalë në vendin e ngjarjes pasi që kanë dalë njësitet e specializuara, për arsye të shpërthimit kemi ardh në përfundim që kemi të bëjë me një granatë dore e për arsye të hetimeve nuk mund të themi më shumë”, ka thënë Veton Elshani – zv.drejtor i Policisë për Rajonin në veri të Mitrovicës.
Forma të tilla të kërcënimit janë të shpeshta në veri, ku qytetarët serbë, veçanërisht ata që ndonjë formë pranojnë ose janë të lidhur me institucionet e Kosovës.
Ky sulm ndaj bashkëpunëtorit të kryetarit të Zubin Potokut vjen vetëm një ditë pasi vetë Izmir Zeqiri bëri publike se u kërcënua me jetë dy herë nga një profil me të dhëna të një serbi në Facebook.