Site icon Telegrafi

Sulmohet me dronë cisterna ruse

Dronët ukrainas goditën një cisternë ruse në ngushticën e Kerchit, duke ndaluar për pak kohë trafikun në urën strategjike që lidh Krimenë me Rusinë, raportuan mediat ruse të shtunën.

Anija u dëmtua dhe dy rimorkiatorë arritën në vendngjarje, njoftoi agjencia e lajmeve Tass, duke shtuar se nafta nuk ka rrjedhur nga anija me 11 persona në bord.

Siç shkruan Moscow Times, bëhet fjalë për një cisternë kimike SIG, e cila ishte nën sanksione sepse furnizonte me karburant forcat ruse që i erdhën në ndihmë regjimit të Bashar al-Asad gjatë luftës në Siri.

Trafiku në urën që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë u ndërpre për tre orë përpara se të rikthehej herët në mëngjes. Ura e Kerchit është e vetmja urë që lidh gadishullin me Rusinë dhe përdoret për transportimin e pajisjeve të ushtrisë ruse në frontin ukrainas.

Vladimir Rogov, zyrtar rus në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia, konfirmoi se disa anëtarë të ekuipazhit të anijes u plagosën nga xhamat e thyer.

Lexo po ashtu Ukraina sulmoi një depo të mortajave ruse, shkakton një shpërthim të municioneve

Sulmi i fundit në Detin e Zi erdhi një ditë pasi Ukraina njoftoi se kishte kryer një sulm me dron detar ndaj një luftanijeje ruse në bazën Novorossiysk në Rusinë jugore.

Numri i sulmeve në Detin e Zi nga të dyja palët është rritur që kur Moska u tërhoq nga një marrëveshje muajin e kaluar që lejonte eksportin e grurit ukrainas përtej Detit të Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version