Telegrafi

Sulmohet centrali bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës – OKB-ja paralajmëron për një “incident të mundshëm bërthamor”

Një sulm i ri me dron në termocentralin e Zaporizhzhias në Ukrainë ka rritur rrezikun e një “incidenti të madh bërthamor”, ka paralajmëruar mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.

Centrali gjigant bërthamor me gjashtë reaktorë ndodhet në vijën e parë të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe është centrali më i madh në Evropë.

Rusia e akuzon Ukrainën për sulmin nga i cili mbetën të plagosur tre persona, por Ukraina e mohon të jetë e përfshirë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të OKB-së (IAEA) vazhdimisht ka paralajmëruar kundër sulmeve të tilla.

E se ky sulm ishte “i pamatur” dhe një “përshkallëzim i rreziqeve të sigurisë bërthamore”, tha edhe kreu i IAEA, Rafeal Grossi.

Bëhet e ditur se ky central e ndaloi gjenerimin e energjisë në vitin 2022, por ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike për të ftohur një nga reaktorët e tij i cili nuk është plotësisht jashtë linje.

Lexo po ashtu Rusia akuzohet për përdorim të armëve kimike kundër ushtarëve ukrainas

Edhe pse nuk pati dëme serioze dhe nivelet e rrezatimit ishin normale, IAEA paralajmëroi se “ky është një incident serioz”.

“Kjo nuk duhet të ndodhë. Askush nuk do të përfitojë ose të ketë ndonjë avantazh politik ose ushtarak nga sulmet kundër objekteve bërthamore. Kjo është e ndaluar”, tha Grossi.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina po e akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për bombardimin e centralit dhe rrezikimin e një incidenti të rëndë bërthamor. /Telegrafi/