Një javë që kur Vladimir Putin siguroi mandatin e pestë presidencial, Rusia është zhytur në masakër dhe rrëmujë.
Sulmi i tmerrshëm në sallën e koncerteve dhe kompleksin tregtar Crocus City Hall pranë Moskës i cili thuhet të jetë kryer nga ISIS-i, ka lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.
Edhe pse Putini tha se sulmuesit kishin planifikuar të kalonin në Ukrainë, Kievi ka mohuar çdo lidhje me sulmin dhe ka paralajmëruar se Rusia po e përdor atë si një justifikim për të përshkallëzuar pushtimin e saj.
Bëhet e ditur se mes frikës për më shumë sulme, siguria në Rusi është rritur, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Por, vështirë se ky është stabiliteti dhe siguria për të cilat votuan aq shumë rus.
Për vite me radhë, kreu i Kremlinit është paraqitur si një lider i aftë për të garantuar rendin në Rusinë e trazuar.
Por, sot Rusia duket më e pasigurt dhe më e paqëndrueshme se kurrë më parë, thuhet në shkrimin e CNN.
Kjo pasi lufta brutale e Kremlinit në Ukrainë u ka kushtuar shtrenjtë rusëve.
Ushtria nuk ka publikuar shifrat e viktimave, por vlerësimet e SHBA-së sugjerojnë se që nga fillimi i luftës janë vrarë dhe plagosur më shumë se 300 mijë rus.
Ndërsa lufta vazhdon, rritet edhe frika për numrin e viktimave pasi Ukraina po avancon gjithnjë e më shumë me kundërsulmet e saj.
Një prej sfidave më tronditëse të Kremlinit që nga fillimi i luftës ka qenë kryengritja e vitit të kaluar të Yevgeny Prigozhin, udhëheqësit të grupit mercenar Wagner, i cili kërkonte shkarkimin e komandës së lartë ruse. Vdekja e tij më pas e hoqi përgjithmonë çdo kërcënim të mundshëm për shtetin rus.
Në të njëjtën mënyrë, edhe vdekja e liderit më të shquar të opozitës ruse, Alexei Navalny, ka shuar një zë kritik të Kremlinit.
Tani fokusi është vendosur në rishfaqjen e sulmeve terroriste xhihadiste në shkallë të gjerë për të cilat zyrtarët amerikan thonë se e kanë njoftuar Rusinë muaj më parë.
Por, për disa arsye, Putini zgjodhi t’i injorojë paralajmërimet e SHBA-së duke i përshkruar si “provokim për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë ruse”.
Ndryshe, sulmi i fundit terrorist në Rusi është një tjetër goditje e fuqishme për një udhëheqës që u ka premtuar rusëve siguri dhe stabilitet. /Telegrafi/