Site icon Telegrafi

Sulmi terrorist ndaj Kosovës, Kurti për Sky News: Duhet të jemi të përgatitur për tentativa të ngjashme në të ardhmen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një intervistë dhënë për Sky News ka folur për sulmin terrorist të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Kurti në këtë intervistë theksoi se ata donin të destabilizon Kosovën dhe të fillonin një luftë të re.

Lidhur me këtë, kryeministri shtoi më tej se duhet të jenë shumë të vëmendshëm e të përgatitur për përpjekje të ngjashme në të ardhmen.

“….Ata donin të fillonin një luftë të re sepse donin të destabilizonin Kosovën. U përpoqën të destabilizojnë vendin tonë dhe dështuan, por a do të provojnë përsëri…

Nuk mund të them me siguri, por qëllimet e tyre politike, mosnjohja e shtetit tonë nga ata, mospërballja e tyre me krimet e kryera në të kaluarën nuk po ndryshon… kështu që mendoj se ne është më mirë të jemi të përgatitur për përpjekje të ngjashme në të ardhmen, për të cilat duhet të sigurohemi se do të dështojnë përsëri”, ka shtuar kryeministri Albin Kurti.

Lexo po ashtu Sky News: Kurti i indinjuar me ndërkombëtarët, kërkon reagim më të ashpër ndaj Serbisë

Ai ka folur edhe për lidhjet e Milan Radoiçiqit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe arsenalin e armatimit që është gjetur pas sulmit.

Sipas kryeministrit të vendit, nuk ka asnjë mundësi që sasia e madhe e armatimit që kishin grupi terrorist të ishte pa përkrahjen e Serbisë.

“…Municioni dhe armatimi që ka vlerë mbi 5 milionë euro është prodhuar në dy fabrika ushtarake në pronësi të Serbisë”, tha ndër të tjera Kurti.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për lidhjet e Vuçiqit dhe Radoiçit, ku njërin e quajti Putini i vogël e tjetrin Prigozhini i vogël, duke e krahasuar me ish-shefin e grupit mercenar rus Wagner.

“Milan Radoiçiq, Prigozhini i vogël, sepse Putini i vogël në Beograd, Aleksandar Vuçiqi, ka Prigozhinin e tij të vogël në malet që e rrethojnë Kosovën të quajtur Milan Radoiçiq. Ai e pranoi se ai e organizoi këtë sulm terrorist….”, ka thënë ai në intervistën në SkyNews, të cilën e publikoi sot të plotë. /Telegrafi/

Exit mobile version