Pas sulmit që ndodhi mbrëmë (29.11.2024), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një varg takimesh për të diskutuar situatën e sigurisë në vend.
Një takim të tillë ajo mbajti edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
“Në këto takime u diskutua për situatën e shkaktuar nga sulmi në kanalin Ibër-Lepenc dhe masat që kanë ndërmarrë institucionet tona për ta menaxhuar situatën e krijuar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
Po ashtu u shtua se presidentja Osmani ka shprehur vlerësim të lartë dhe mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar.
Gjat ditës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën jetike të Kosovës./Telegrafi/