Mbrëmjen e 4 gushtit, objekti i Kuvendit të Kosovës ishte cak i një sulmi me granatë dore nga persona që deri më sot ishin të panjohur.
Lidhur me këtë sulm, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarr sot një aksion ku kanë kryer bastisje në gjashtë lokacione, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona.
Të arrestuarit e sotëm janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë emrat e gjashtë të arrestuarve.
Ndërkaq policia sot përmes një konference ka treguar se ka prova të mjaftueshme se aktivistët e VV-së ishin të përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit.
Lidhur me këtë njohësi i çështjeve politike, Arben Qirezi ka thënë për Telegrafin se pretendimi i organeve të ndjekjes se aktivistë të një partie opozitare dhe parlamentare kanë kryer sulmin me RPG ndaj Kuvendit të Kosovës është shumë serioz.
“Niveli i seriozitetit të këtij pretendimi, të bërë publik sot me rastin e arrestimit të gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes, është aq i madh saqë ky pretendim do të duhej të ishte i mbështetur në prova të pakundërshtueshme që janë të mjaftueshme për ngritje të akuzës për vepër terroriste dhe që do të rezultonte me dënimin e të akuzuarve”, ka thënë Qirezi.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale policia ka sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, dy revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Kryeministri i vendit Isa Mustafa një ditë pas sulmit në Kuvend kishte deklaruar se ky sulm është terrorist dhe se askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet.
“Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë. Ftoj organet e rendit të punojnë në zbardhjen e këtij rasti shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar si dhe qytetarët ta japin ndihmesën e tyre. Kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë”, kishte deklaruar Mustafa.
Të njëjtën gjë e ka ripërsëritur sot edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Ai përmes një deklarate për media ka thënë se sulmi ndaj Kuvendit ishte akt terrorist, dhe se i mbështet organet e rendit.
“Sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte një sulm terrorist dhe kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme. I mbështes organet e rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Vetëvendosje në anën tjetër ka cilësuar se arrestimi i gjashtë aktivistëve të saj, është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve politik.
VV ka shtuar se arrestimi aktivistëve vetëm sa i ka forcuar dhe se nuk do të ndalen.
Shpërthimi tek Kuvendi i Kosovës ka ndodhur në ditën kur Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi.
Vlen të theksohet se policia ka deklaruar se aktivistët e arrestuar sot nuk kanë lidhje me sulmet që kanë ndodhur në objektin e RTK-së dhe në shtëpinë e drejtorit të RTK-së, Mentor Shala./Telegrafi/