Telegrafi

Sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

Në Komunën e Leposaviqit sot janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.

Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.

Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë redaksia e Tëvë1 për AGK-në.

AGK nëpërmjet një komunikate thekson se sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm dhe ka ftuar organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë.

“Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin”, thuhet në njofitmin e AGK.