Telegrafi

Pupovci flet për sulmin ndaj bashkëshortes së tij: Ia kemi lënë drejtësisë

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, tha se janë prekur shumë nga sulmi fizik ndaj bashkëshortes së tij, profesoreshës Hatixhe Latifi – Pupovci, në vendin e punës, ndërkaq theksoi se duhet të largohet mentaliteti se “duhet ushtrohet presion mbi mësimdhënësit për notë”.

Pupovci në një emision në RTV 21 tha se këtë çështje ia kanë lënë drejtësisë.

“Bashkëshortja ime ka 35 vjet përvojë pune në arsimin e lartë dhe me të vërtetë na ka prekur shumë ngjarja që ka ndodhur. Por sido që të jetë, të dy konsiderojmë se kjo tani është çështje e organeve të drejtësisë, të cilat duhet ta peshojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Lexo po ashtu Profesoresha Latifi – Pupovci tregon motivet e sulmit ndaj saj nga gjinekologu Arsim Gashi

Pupovci u shpreh se në përgjithësi duhet të largohet mentaliteti se “duhet ushtrohet presion mbi mësimdhënësit për notë”.

“Duhet ta heqim mentalitetin që duhet të ushtrohet presion mbi mësimdhënësit. Studentët janë njerëz të rritur dhe sa herë që kanë problem me mësimdhënësin, respektivisht perceptojnë që mësimdhënësi nuk është objektiv ose nuk është real, ekzistojnë mundësitë e ankesës dhe në kohën e fundit sa po shoh nëpër universitete menjëherë po formohen komisione për ta verifikuar studentin”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Sulmohet fizikisht Latifi-Pupovci, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë

Zëvendësministri i Arsimit nuk komentoi se nëse është adekuate masa prej një muaj paraburgim ndaj prindit që sulmoi bashkëshorten e tij në vendin e punës.

“Nuk kisha pasur dëshirë me komentua masat e Gjykatave. Sulmet fizike nuk e kanë vendin në vendet akademike. Edhe masat që ndërmerren duhet të jenë të tilla që t’i dekurajojnë njerëzit që mos të bëjnë gjëra të tilla”, tha Pupovci.

Lexo po ashtu Profesoresha Latifi-Pupovci reagon sërish për sulmin fizik ndaj saj: Nuk ka dhunë, grusht e as plumb që më zmbraps nga parimet e mia

Ndryshe, Hatixhe Latifi – Pupovci e cila është profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë, ditë më parë është sulmuar fizikisht nga prindi i një studenti brenda ambientit të fakultetit. /Telegrafi/