Telegrafi

Sulmi me granatë dore në objektin e komunës në veri të Mitrovicës, reagon Atiq: Akte terroriste që tentojnë të ngjallin frikë, nuk do t’ia dalin

Kryetari i Komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq ka reaguar pas sulmit me granatë dore i cili ndodhi mbrëmjen e së hënës në objekt të kësaj komune.

Atiq përmes një statusi në rrjetin social në Facebook e ka quajtur sulmin e mbrëmshëm “sulm i organizuar terrorist”.

Sipas tij, institucionet në veri do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.

Lexo po ashtu MPB reagon pas sulmit në Mitrovicën veriore: Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri

“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do t’ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla”, ka thënë Atiq.

Po ashtu, kryetari i veriut të Mitrovicës i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me urgjencë.

“Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, tha ndër të tjera Atiq. /Telegrafi/