Stacioni policor në Zveçan është sulmuar me dy granata dore mbrëmjen e së martës.
Policia nuk mohon ndërlidhjen e shpërthimit me vizitat e krerëve qeveritar, derisa kryetari i Zveçanit, kërkon shtim të masave të sigurisë.
“Mbrëmë pas mesnatës kanë ndodhur dy shpërthime, që ne besojmë të jetë nga granata e dorës e tipit M75, në bazë të njësitit që ka dalë në vendin e ngjarjes, një ose më shumë persona të dyshimtë kanë hedhur granata dore, ka pasur dëme materiale në xhama dritare në objekt të policisë, por nuk ka pasur lëndime në njerëz”, ka thënë Veton Elshani, zv.drejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri.
Elshani thotë se janë duke u vazhduar hetimet, por ende nuk ka asnjë të identifikuar si të dyshuar.
“Nuk mund të themi asgjë që ka lidhje me atë rast apo me raste të tjera, policia nuk e përjashton asnjë pistë të hetimit kështu që kudo që hetimet na dërgojnë edhe ne shkojmë atje, me rëndësi është që ne të lënduar s’kemi pas dhe Policia vazhdon të kryej detyrat e veta”, ka thënë Elshani.
Këtë incident, kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci e konsideron shqetësues.
“Unë si kryetar komune, me gjithë stafin tim e dënojmë këtë akt, vazhdimisht një a 10 ditë nuk shkon pa këto grupe kriminale dhe ne shpresojmë që sa më shpejtë të jetë e mundur të nxihen grupet kriminale që ende për policinë janë të panjohur dhe të dalin para drejtësisë”, ka thënë Peci.
Peci, kërkon rritjen e masave të sigurisë.
“Për mu shtu numri i policisë nga fillimi e kem thanë që kemi kërkuar një siguri më të madhe edhe për mua si kryetar komune por edhe stafin tim, tu e pa numri mundet mu shtu i policisë por asnjëherë s’mundet me u shtu siguria në këtë komunë për arsye se edhe vetë në stacionin e policisë ka ndodhur ai sulëm, kur ndodh në stacionin e policisë, tek qytetarët është më lehtë”, ka thënë tutje Peci.
Javë më parë në po këtë komunë një objekt qe shfrytëzohej nga një kompani e derivateve u sulmua me mjet shpërthyes, duke shkaktuar dëme materiale.
Ndërkohë këtë të hënë, kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin Sveçla dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha vunë gurëthemelin e nënstacionit policor në Izvor të kësaj komune.