Këshilli i Lartë i Prokurorisë në Shqipëri reagoi sot ndaj deklaratave për veprimet procedurale të ndërmarra nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Në një deklaratë për mediet, KLP thekson se, është institucioni i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
“Këshilli Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor sipas nenit 185 te ligjit 115/2016 të mbajë qëndrim publik… “në mbrojtje të prokurorëve të veçantë kur gjykon se të drejtat e tyre njerëzore rrezikohen të shkelen për shkak të kryerjes së detyrës ose se kryerja e funksioneve të tyre ligjore po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat”. Në ushtrim të kësaj detyre, Këshilli ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën të ditur se, ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediet audiovizive dhe ato elektronike, lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK).
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta”, vijon deklarata.
“Në të njëjtën kohë, Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të prokurorëve të sipër përmendur dhe të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush”, thuhet në deklaratë.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfiton nga rasti të shprehë konsideratën e lartë për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për misionin që kanë marrë angazhim të kryejnë, por edhe si personalitete me integritet të lartë. Rezultatet e punës së kësaj strukture, aktualisht janë vlerësuar pozitivisht nga të gjithë aktorët në vend, duke bërë të mundur rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, pritshmëri kjo e reformës në drejtësi e ndërmarrë dhe miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në dakordësi të plotë”, thekson KLP.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. /Telegrafi/