Site icon Telegrafi

Sulmet izraelite në një kamp tendash në Khan Younis vranë të paktën 40 njerëz dhe plagosën 60 të tjerë, thotë agjencia palestineze e lajmeve

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 40 njerëz dhe kanë plagosur 60 të tjerë në një kamp tendash për palestinezët e zhvendosur në Gazën jugore, ka thënë agjencia palestineze e lajmeve WAFA, duke cituar zyrtarë mjekësorë.

Sipas shërbimit civil të urgjencës në Gaza, një kamp tendash pranë Khan Younis në zonën Al-Mawasi – e cila është një zonë e caktuar humanitare – u godit nga të paktën katër raketa në orët e para të së martës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Banorët dhe mjekët në vendngjarje thanë se të paktën 20 tenda u përfshinë nga flakët pas sulmeve me raketa, të cilat lanë kratere deri në nëntë metra të thellë.

Një zyrtar i emergjencës civile në Gaza tha se ekipet e tyre “po largojnë ende dëshmorët dhe të plagosurit nga zona e synuar” dhe pohoi se “duket si një masakër e re izraelite”.

Shërbimi i urgjencës theksoi se gra dhe fëmijë ishin përfshirë në 65 të vrarë dhe të plagosur, por nuk tha se sa kishin vdekur ose ishin plagosur.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit konfirmuan se kishin kryer një sulm, për të cilin ata thanë se “goditi terroristë të rëndësishëm të Hamasit që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të ngulitur brenda Zonës Humanitare në Khan Younis”.

Ata shtuan: “Terroristët përparuan dhe kryen sulme terroriste kundër trupave të IDF dhe shtetit të Izraelit”. /Telegrafi/

Exit mobile version