Dy persona janë vrarë në një sulm me thikë në qytetin izraelit të Holon, pranë Tel Avivit, kanë thënë zyrtarët mjekësorë.
Dy të vrarët ishin një grua 66-vjeçare dhe një burrë “afërsisht 80-vjeçar”, ndërsa dy të tjerë u plagosën.
Policia tha se sulmuesi ishte një banor i Bregut Perëndimor dhe ishte “neutralizuar” në vendngjarje.
Ai u shpall i vdekur me të mbërritur në spital, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se një prani e madhe e policisë është në vendngjarje duke kryer “kërkime të gjera me helikopter dhe mjete të tjera”.
Ministri izraelit për Sigurinë e Shtetit, Itamar Ben-Gvir, vizitoi vendin e sulmit dhe përsëriti një thirrje për izraelitët “që të armatosen2.
“Unë ndaj dhimbjen me familjet e të vrarëve dhe i uroj shërim të plotë të plagosurve. Lufta jonë nuk është vetëm kundër Iranit, por këtu në rrugë. Pikërisht për këtë armatosëm popullin e Izraelit. Më shumë se 150,000 licenca për armë në tetë muajt e fundit”, tha Ben-Gvir duke u kërkuar njerëzve që të mbajnë armë pasi ajo “shpëton jetë”.
Ndryshe, ky sulm vjen pas një sulmi izraelit në Gazë i cili goditi një strehimore dhe vrau katër persona dhe plagosi të tjerë.
Izraeli së fundmi ka sulmuar edhe një shkollë ku strehoheshin persona të zhvendosur në veri të Gazës, nga i cili mbetën të vdekur 16 persona dhe 21 të tjerë u plagosën. /Telegrafi/