Telegrafi

Sulm i ri i ukrainasve në territorin rus, një i vdekur dhe shumë dëme materiale

Një person u vra dhe tetë u plagosën në rajonin Belgorod të Rusisë të dielën pas bombardimeve nga forcat ukrainase, sipas guvernatorit rajonal.

“Një person vdiq. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe miqve”, shkroi në Telegram, guvernatori Vyacheslav Gladkov.

Ai shtoi se tetë persona u plagosën, shtatë janë tani në spital, njëri prej të cilëve është në kujdes intensiv, raporton cnn.

Gladkov tha se ndihma mjekësore është ofruar në vendin e përplasjes dhe se 14 ndërtesa banimi dhe disa vetura janë dëmtuar gjithashtu në zonë.

Belgorod, rreth 35 kilometra nga kufiri me Ukrainën, ishte sulmuar më parë. Më 15 nëntor, guvernatori tha se dy persona u vranë nga bombardimet ukrainase.

Më 8 dhjetor, Gladkov tha se forcat e armatosura të Ukrainës kishin bombarduar sërish rajonin dhe se qyteti pësoi dëmtime në linjën e energjisë elektrike. /Telegrafi/