Raketat ruse kanë goditur qytetin qendror të Vinnytsia-s, duke vrarë të paktën 20 persona, përfshirë tre fëmijë, thonë zyrtarët ukrainas.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, 90 të tjerë u raportuan të plagosur në sulm, në jug-perëndim të kryeqytetit Kiev dhe larg çdo linje fronti në konflikt.
Tre raketa ruse goditën një bllok zyre dhe dëmtuan ndërtesa banimi, transmeton Telegrafi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quajti atë “një akt të hapur terrorizmi”.
Raketat goditën parkingun e makinave të bllokut nëntëkatësh të zyrave rreth orës 10:50, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës. Ndërtesat e banimit u goditën gjithashtu në qendër të Vinnytsia, e cila ka një popullsi prej rreth 370 mijë banorësh.
Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes, e cila mohon të ketë vënë në cak civilët, ende nuk ka thënë diçka për sulmin.
Presidenca ukrainase tha se sulmi kishte ardhur nga raketat e lundrimit Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse në Detin e Zi. /Telegrafi/