Site icon Telegrafi

Sullivan bën thirrje për një marrëveshje armëpushimi pas misionit izraelit për shpëtimin e pengjeve

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se një marrëveshje “armëpushimi afatgjatë” midis Izraelit dhe Hamasit është “e vetmja rrugë e besueshme” pas një misioni izraelit të shpëtimit të pengjeve që zyrtarët e Gazës thonë se vrau të paktën 274 njerëz.

“Mënyra më e mirë për t’i kthyer të gjithë pengjet në shtëpi dhe për të mbrojtur civilët palestinezë është t’i jepet fund kësaj lufte. Dhe mënyra më e mirë për t’i dhënë fund kësaj lufte është që Hamasi t’i thotë po marrëveshjes së shpallur nga presidenti Biden dhe që Izraeli e ka pranuar, e cila përcakton një udhërrëfyes për një armëpushim të qëndrueshëm dhe kthimin e të gjithë pengjeve”, tha Sullivan.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zbuloi propozimin trefazor në fund të muajit të kaluar, duke thënë se Izraeli e kishte paraqitur planin, megjithëse komentet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që atëherë kanë lënë disa dyshime mbi nivelin e tij të mbështetjes për propozimin, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Sullivan tha gjithashtu edhe se Hamasi, i cili mori pengjet gjatë sulmeve të tij vdekjeprurëse të 7 tetorit në Izrael, po i vinte palestinezët në rrezik.

Lexo po ashtu Papa Françesku bën thirrje për marrëveshje të menjëhershme paqeje në Gaza

“Vetë presidenti ka thënë ditët e fundit se populli palestinez po kalon një ferr të plotë në këtë konflikt, sepse Hamasi po vepron në një mënyrë që i vendos ata në zjarr të kryqëzuar, që mban pengje pikërisht në zemër të zonave të mbushura me civilë,” shtoi ai.

Andaj, këshilltari amerikan bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike “ku nuk ka nevojë për operacione ushtarake për të nxjerrë çdo peng të fundit”.

Senatori amerikan Tom Cotton gjithashtu fajësoi Hamasin për mbajtjen e pengjeve në zonat civile.

“Nuk duhet të marrësh pengje në radhë të parë. Ju duhet t’i lironi dhe sigurisht nuk duhet t’i fshehni në zona civile”, tha Cotton. /Telegrafi/

Exit mobile version