Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar pak ditë më parë këngën e saj më të re “Let you love me”.
Këtë këngë, këngëtarja e solli të vizualizuar edhe me klip, e ndërsa ka paralajmëruar publikimin e albumit të ri “Phoenix” më 23 nëntor.
“Let you love me”, e cila është kënga e parë e këtij albumi, është pritur jashtë mase mirë nga fansat e këngëtares.
Në vetëm pesë minuta pas publikimit të klipit, kënga arriti mbi 100 mijë klikime në YouTube, e ndërsa është drejt milionëshit të parë.
Se kjo këngë është trendi i momentit, këtë gjë kanë pasur mundësinë ta shohin edhe të gjithë qytetarët e New Yorkut, pasi kënga “Let you love me” është promovuar edhe në sheshin “Time Square”.
Ka qenë platforma ‘Spotify’, ajo e cila ka vendosur ta promovojë këngën e artistes shqiptare në një nga ekranet më të mëdha të “Time Square”.
E lumtur për këtë fakt është shprehur edhe vet Ora, e cila ka falënderuar fansat e saj për mbështetjen që po ja japin në këngën e saj të re.
“Nuk mund të besoj se sa zemra dhe mbështetje që po më jepni për “Let You Love Me”, faleminderit Spotify për “Billboard”-in në Times Square! “Let You Love Me” është video numër një në trend në YouTube dhe tashmë e shtata në iTunes”, ka shkruar këngëtarja shqiptare.
E njëjta, këto ditë ka pasur një paraqitje të shkëlqyer në javën e Modës në Milano, përkrah reperes Nicky Minaj.
Ndërsa sonte, ajo pritet të mbajë një koncert gjigant në Gjibraltar, në kuadër të MTV-së. /Telegrafi/