Site icon Telegrafi

Sukses historik: NASA arriti të krijojë oksigjen për frymëmarrje në Mars

Eksperimenti i NASA-s në Mars e shndërroi atmosferën e rrallë dhe toksike të Planetit të Kuq në oksigjen.

Eksperimenti i Shfrytëzimit të Burimeve të Oksigjenit në Mars (MOXIE) ose projekti për të shfrytëzuar burimet vendase të oksigjenit arriti në Mars me roverin e Perseverance në 18 shkurt dhe tani ka përfunduar provën e tij të parë.

Atmosfera e Marsit përbëhet kryesisht nga dioksid karboni. Është njëqind herë më e rrallë se atmosfera e Tokës, dhe edhe sikur të kishte të njëjtën përbërje si ajri i Tokës, njerëzit nuk do të ishin në gjendje të mbijetonin duke marrë frymë. Është një sukses historik sepse nëse dërgojmë ndonjëherë astronautë në Mars, ata do të duhet të marrin oksigjen me vete, shkruan New Scientist, transmeton Telegrafi.

Oksigjeni është gjithashtu një përbërës kryesor i shumicës së karburanteve të raketave, kështu që astronautët do të duhet të mbajnë rezervuarë të rëndë të karburantit deri në shtëpinë e tyre. NASA vlerëson se do të duheshin rreth 25 ton oksigjen për të kthyer katër astronautët në shtëpi nga Marsi. Është jashtëzakonisht e shtrenjtë të transportosh gjithçka në Mars dhe raketat kanë kapacitet të kufizuar dhe çdo gram llogaritet.

MOXIE është një hap drejt zgjidhjes së të dy problemeve, duke prodhuar oksigjen në Mars. MOXIE thith dioksidin e karbonit nga atmosfera e Marsit dhe e ngroh atë në një temperaturë prej rreth 800 gradë Celsius, e cila lejon ndarjen e atomeve të oksigjenit nga dioksidi i karbonit dhe pastaj lirimin e monoksidit të karbonit.

“Ne po shkojmë drejt qëllimit të dërgimit të një ekuipazhi njerëzor në Mars”

Përpjekja e parë në eksperiment, e kryer në 20 prill, prodhoi rreth pesë gram oksigjen, të mjaftueshëm për rreth 10 minuta ajër për astronautin. “MOXIE ka ende punë për të bërë, por rezultatet e kësaj arritje teknologjike janë shumë premtuese ndërsa lëvizim drejt qëllimit tonë për të dërguar një ekuipazh njerëzor në Mars”, tha Jim Reuter i NASA.

MOXIE është krijuar për të prodhuar vetëm rreth 10 gram oksigjen në orë, por gjeneratorët e ardhshëm të oksigjenit mund të jenë shumë më të mëdhenj dhe të nxjerrin atome oksigjeni nga dioksidi i karbonit shumë më shpejt. /Telegrafi/

Exit mobile version