Site icon Telegrafi

Sugjerim: Përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision duhet të shkojë nga Kënga Magjike?

Blogu më i famshëm i Eurovisionit, jep 10 arsye se përse “Kënga Magjike” është festivali që nxjerr këngëtarët idealë për skenën të madhe evropiane.

I konsideruar si blogu më i njohur dhe më me influencë në Eurovision, wiwibloggs.com, në një shkrim të datës 29 tetor 2015, rendit 10 arsye se përse “Kënga Magjike” duhet të jetë festivali nga i cili duhet të përzgjidhen artistët për në Festivalin Evropian të Këngës dhe jo Festivali i Këngës në RTSH.

Kontribuuesi i këtij blogu dhe një njohës shumë i mirë i historisë së Eurovisionit, Edd Keith, shkruan ndër të tjera: “Unë e vlerësoj faktin që Festivali i Këngës është një traditë 50-vjeçare dhe ende ruhet si diçka speciale për shqiptarët. Por e vërteta është që marrëdhënia me Eurovisionin, nuk po funksionon. Ndoshta është koha për t’i thënë ‘Lamtumirë!’ trikos sënde të vjetër e të dashur dhe për ta zëvendësuar me diçka të re”

Në fund të renditjes, është publikuar edhe një sondazh, ku u kërkohet lexuesve të votojnë nëse kënga e ardhshme në Eurovision duhet të vijë nga Kënga Magjke, Festivali i Këngës apo nga një përzgjedhje e brendshme. Me 66.25 për qind të votave, lexuesit mendojnë se fituesi i Këngës Magjike duhet të shkojë në “Eurovizion”, transmeton Anabel.al.

Natyrisht ky është një opinion i këtij blogu autoritar në botën e Eurovisionit. Ndërkohë, në Shqipëri këtë vit Festivali i Këngës nën një drejtor të ri artistik (Elton Deda) do të jetë sërish përzgjedhësi i vetëm i pjesëmarrësit në Eurovision. Nga ana tjetër Kënga Magjike, një produksion i “Jon Music” nën drejtimin e producentin dhe kantautorit, Ardit Gjebrea, po përgatitet për netët finale në fillim të muajit dhjetor. Këtë vit, ky festival do të jetë live.

Exit mobile version