Site icon Telegrafi

Subvencionimi i teksteve shkollore, Jasharaj: Një komplikim i radhës, Nagavci të kërkojë falje

Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MAShTI) për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën përmes aplikimit e-Kosova, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se ky është komplikimi i radhës nga kjo ministri.

Jasharaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ministrja Nagavci për vendimin e marrë do duhej të i kërkonte falje prindërve dhe mësimdhënësve.

Ai foli edhe për komplikimet që po shfaqen në platformën online, e-Kosova.

“Ky është një komplikim i radhës dhe unë po them që MASHTI lë të bëj çfarë të dojë, pasi Nagavci në takimin e dytë më mediat është dashur të kërkoj falje prindërve dhe mësimdhënësve për gjërat që kanë ndodhur me tekstet shkollore.

Tash e kemi një komplikim në e-Kosova për rimbursim të teksteve shkollore. Kjo po krijon telashe ngase siç e lexova nga mediat, pasi me MASHTI-in nuk kemi ndonjë komunikim për shkak të qëndrimeve të Nagavcit, se ajo mendon që vet duhet të bëj gjithçka për arsimin e kjo po i del gabim”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore, deputetja e PDK-së: Është shkelje të caktosh moshën e fëmijës për regjistrim në klasë të parë

Tutje Jasharaj tha se: “Kishte vërejtje të prindërve që fëmijët e tyre në gjysmën e shtatorit do t’i bëjnë vitet për tu regjistruar në klasën e parë dhe ata nuk kanë mundësi të aplikojnë, pastaj nuk janë 100 ose 200, por janë mbi 100 mijë prindër që duhet të aplikojnë për këtë rimbursim”.

E gjithë kjo siç tha Jasharaj ka ardhur për shkak të kryeneçësisë të Nagavcit.

Lexo po ashtu MASHTI njofton se aplikimi për subvencionim fillon nga sot, do të ndahen nga 80 euro për blerjen e teksteve

“Pse të rimbursohen, pse të bëhen gjithë këto telashe e prindërit të shkojnë për regjistrim në e-Kosova, e pastaj të shkojnë në xhirollogaritë e tyre për të parë nëse ju kanë dal mjetet, kur qeveria dhe Nagavci pasi që kanë pasur mjete ta vazhdojnë traditën. MASHTI të paguajë për tekstet shkollore, e prindërit të merren me çështje tjera, e mësimdhënësit të merren me shpërndarjen e teksteve…”, u shpreh ai.

Jasharaj theksoi se “Ajo çka nuk është dashur të ndodh është ky vendim”.

Siç potencoi kryetari i SBAShK-ut fillimi i vitit shkollor do të jetë me telashe.

“Pasi edhe për prindërit dhe për mësimdhënësit ka nxjerr telashe. Fillimi i vitit shkollor do të jetë me telashe, pasi do të ketë mungesë të teksteve shkollore. Prindërit do të presin derisa të ju dalin paratë, etj, ata do të presin në radhë për të blerë tekste në një apo dy librari që kanë qytetet, e qytezat ndodh mos të kenë asnjë librari.

Do të kemi radhë të gjata para librarive, do të kemi radhë në pritje të bankomatëve, do të kemi familje që nuk kanë xhirollogari, familje që janë në gjendje të rëndë ekonomike, etj”, ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka njoftuar të enjten se dikasteri që udhëheqë do të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit.

Ndërkaq të premten, në platformën online të Qeverisë së Kosovës, E-Kosova, është hapur linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Lexo po ashtu Nagavci tregon numrin e prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore

Nagavci ka bërë të ditur se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro. /Telegrafi/

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, një ditë më parë ka njoftuar se deri në orën 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11 mijë e 800 prindër ose kujdestarë ligjorë për subvencionimin e teksteve shkollore. /Telegrafi/

Exit mobile version