Luis Suarez ka thënë se Paul Pogba do të ishte i mirëpritur te Barcelona në rast se do të vendoste të transferohej në Camp Nou.
Mesfushori i Manchester Unitedit është lidhur me një kalim në La Liga, ndërkohë që vazhdon të spekulohet se ai dëshiron të largohet nga Old Traffordi.
Suarez është lojtari i dytë i Blaugranëve, pas Gerard Pique, që thotë se francezi do të mirëpritej te kampioni spanjoll.
Raportet e Pogbas me Jose Mourinhon thuhet se nuk janë të mira dhe 25-vjeçari dëshiron të largohet nga Unitedi.
“Pogba është lojtar elitar – ai ka fituar gjithçka. Ka shumë cilësi dhe është lojtari kryesor i Unitedit”.
“Mendoj se ai do të dëshironte të garonte për më shumë (trofe), sesa që është duke e bërë aktualisht. Ndoshta nuk është ende lojtar i Barcës, por gjithmonë do të mirëpritej”, ka deklaruar uruguaiani për RAC1.
Bashkëkombësi i Pogbas, Antoine Griezmann, është një tjetër lojtar që është lidhur me një transferim të mundshëm te Barcelona, ndërsa Suarez thotë se është befasuar që francezi qëndroi te Atletico Madridi.
“Është befasi (që qëndroi te Atletico). Por, duhet ta respektosh vendimin e tij që e ka bërë me familjen e vet. Ai e ka fituar respektin e të gjithëve”, ka shtuar 31-vjeçari. /Telegrafi/