Site icon Telegrafi

Stuhi, shi e breshër në Mitrovicë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim thotë se situata është e menaxhueshme

Foto: MitrovicaSot

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Nehat Bahtiri ka thënë se gjendja në komunën e tyre është e menaxhueshme dhe se ekipet kanë dalë për të inspektuar nëse ka nevojë për ndonjë intervenim në terren, pas stuhisë që përfshiu këtë zonë.

Bahtiri tha për Telegrafin se reshje shumë të mëdha po vazhdojnë të bien, teksa theksoi ka mundësi të ketë ndonjë bllokim të kanalizimit në ndonjë pjesë.

“Reshje edhe ka pasur, por është edhe duke vazhduar të bie shi. Ka mundësi në disa vende të ketë bllokim të kanalizimeve, por nuk presim të ketë nevojë për ekipe shpëtimi”, tha ai.

Lexo po ashtu Stuhi shiu dhe breshëri në Mitrovicë

“Kemi angazhuar ekipe por edhe qytetarët po kujdesen, nëse ka nevojë për ndonjë intervenim, por deri më tani ekipet po inspektojnë gjendjen në terren, nuk ka diçka të madhe për tu shqetësuar”, tha ai.

Ndryshe, stuhi e reshje shiu dhe breshëri ka përfshirë sot qytetin e Mitrovicës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot pritet të jetë më e freskët dhe me rënie të maksimaleve për 3 deri 6 gradë Celsius, për shkak të vranësirave të cilat do ta mbulojnë pjesën më të madhe të territorit.

Foto: MitrovicaSot

Ndërkaq, ditë më parë është paralajmëruar për mundësinë e stuhive.

Që nga paslufta, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk ka sistem të radarit për të përcaktuar se cilat zona mund të goditen nga stuhitë.

Megjithëse kërkesa ka qenë e vazhdueshme dhe nevoja shumë e madhe për tu pajisur me një radar të tillë, kjo sipas Besim Aliut nga IHMK-ja gjithmonë ka hasur në vesh të shurdhër.

Lexo po ashtu Priten stuhi e shkarkime rrufesh, në mungesë të radarit nuk dihet cilat vende të Kosovës mund të goditen

“Unë gjithmonë them se vende vende mund të ketë stuhi edhe shkarkime rrufesh, për shkak se për të përcaktuar vendin, territorin i cili do të atakohet, nuk kemi radar, e pa këtë pajisje nuk mundemi ta përcaktojmë”, u shpreh Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version