Studentja ruse Olesya Krivtsova ka munguar tashmë në shumë orë mësimi.
Kjo pasi 20-vjeçarja Olesya është në arrest shtëpiak. Ajo ka një etiketë elektronike në këmbë nga ku policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj, raporton BBC, përcjell Telegrafi.
Krimi i saj i supozuar? Olesya u arrestua për postime kundër luftës në mediet sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.
“Unë postova një story në Instagram për urën”, tha Olesya për BBC, “duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur”.
Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën.
Më pas filloi drama.
“Unë po flisja në telefon me nënën time”, kujton Olesya, “kur dëgjova hapjen e derës. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme”.
Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet”, thotë Olesya. “Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja”.
Një studente e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Rusi, Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve.
“Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se ishte e çmendur”, kujton Olesya.
Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet.
Olesya ka një tatuazh në këmbën e saj të djathtë, ku paraqitet presidenti rus Vladimir Putin si një merimangë, me një mbishkrim: “Vëllai i Madh po ju shikon”.
Duket se në rastin e Olesyas, nuk ishte Vëllai i Madh që e shikonte atë, por kolegët e saj të universitetit.
Një mik më tregoi një postim për mua në një bisedë”, thotë Olesya, “për mënyrën se si isha kundër “operacionit special ushtarak”. Shumica e njerëzve në këtë bisedë ishin studentë të historisë. Ata po diskutonin nëse do të më denonconin tek autoritetet”.
Kur lista e dëshmitarëve të prokurorisë u lexua në gjykatë, Olesya njohu emrat nga biseda e studentëve. /Telegrafi/