Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP), kanë vizituar sot Telegrafin për të parë nga afër punën e përditshme që bëjnë gazetarët në këtë media online në Kosovë.
Studentët u pritën nga kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, si dhe nga një pjesë e gazetarëve.
Gjatë kësaj vizite, studentët u informuan për punën që bëhet në Telegrafi si portal profesional në vend.
Kryeredaktori Hajrullahu u ka treguar studentëve se korrektësia, profesionalizimi dhe serioziteti, janë gjërat kryesore që Telegrafi i ka prioritet.
Gjithashtu, studentët u informuan për sistemin e brendshëm të funksionimit, natyrën e punës në portal, realizimin teknik, mënyrën e ndarjes së punëve dhe përgjegjësive.
Në anën tjetër studentët shprehën interesim të madh për Telegrafin, duke bërë pyetje të ndryshme rreth mënyrës së funksionimit të portalit.
Pas interesimit që shprehën studentët, kryeredaktori Hajrullahu u tha studentëve se janë të mirëseardhur në Telegrafi për të kryer pjesën praktike, si dhe për të parë mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
Ndryshe, vizita e studentëve u realizua në kuadër të lëndës “Menaxhimi i medias”.
Ata ishin të shoqëruar nga asistentja e kësaj lënde, Gentiana Paçarizi. /Telegrafi/