Një prej ambienteve të konfiskuara në luftën ndaj krimit, do të vihet në dispozicion të Policisë së Kosovës për sezonin e pushimeve, por edhe për trajnime të përbashkëta me policinë shqiptare.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe homologu i tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, të martën ishin në Vlorë, ku këqyrën nga afër ambientin e sekuestruar nga institucionet ligj-zbatuese në luftën ndaj krimit.
Ky objekt që do të vendoset në shërbim të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës për trajnime dhe pushime ka një sipërfaqe 3 089 metër katrorë në ndërtim dhe mbi 2 000 metra katrorë sipërfaqe rrethuese.
“Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”, shkruan Balla në rrjetet sociale, teksa poston dhe video nga vizita në këtë objekt.
“Bashkë me Ministrinë e Brendshme të Kosovës do të investojmë ta kthejmë në një hotel të pushimeve të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Le të jetë ky një model i punëve që duhet të bëjmë së bashku”, tha Balla, i cili shtoi se gjatë dimrit zakonisht dy policitë bëjnë edhe kurse trajnimi.
“Mund ta përdorim edhe për trajnimet”, tha më tej Balla.
“Gjëja e parë është që duhet një arkitekt që vlerësojë se si do modelohet për punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Balla.
“Me autobusë policët nisen nga Prishtina, për tre orë janë në Tiranë. Për katër orë e gjysmë në Vlorë. Nisen të premten në mëngjes, vijnë pushojnë nga e premtja në të dielën pasdite dhe nisen sërish drejt Prishtinës”, përfundoi Balla Balla.
“Patjetër, duhet të shijojnë edhe punonjësit e Policisë pak pushim. Jo vetëm aksione të përbashkëta”, tha Svelça, duke iu përgjigjur Ballës. /Telegrafi/